Shërbimet në portalin e-Albania janë organizuar në dy grupe të mëdha: shërbime informuese dhe shërbime elektronike, të cilat ofrohen nga institucionet e administratës publike qendrore, të varësisë dhe të pavarura.
Shërbimet elektronike që ofrohen në portalin e-Albania do të rizhvillohen. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka hapur tenderin me vlerë 1.72 mld lekë apo 17.2 mln euro, duke specifikuar se qëllimi është ofrimi i shërbimeve në një arkitekturë me mikro shërbime.
Rizhvillimi i portalit e-Albania ka rëndësi për qytetarët dhe bizneset, pasi prej majit të vitit 2022, të gjitha shërbimet publike, ofrohen vetëm elektronikisht, nëpërmjet kësaj platforme unike qeveritare e-Albania. Disa prej këtyre shërbimeve mbështeten në nënshkrimet dhe vulat elektronike, duke garantuar kështu transaksionet elektronike për bizneset dhe qytetarët.
Shërbimet në portalin e-Albania janë organizuar në dy grupe të mëdha: shërbime informuese dhe shërbime elektronike, të cilat ofrohen nga institucionet e administratës publike qendrore, të varësisë dhe të pavarura.
Sipas AKSHI-t shërbimet elektronike përbëjnë pjesën më të rëndësishme të portalit, pasi u krijojnë mundësinë qytetarëve apo bizneseve të marrin shërbimin e kërkuar pa shpenzuar kohë në zyrat e administratës, si dhe duke evituar burokracitë e panevojshme. Ndërkaq, referuar tenderit të hapur, kompanitë e interesuara kanë një muaj afat për dorëzimin e dokumenteve.